E dinim por nuk e vepronim

0
302

Tregon Ibnul Kajim, Zoti e mëshiroftë se:

Një vajzë e re në moshë, u sëmur nga mortaja dhe më pas ndërroi jetë prej saj. I ati e pa një natë në ëndërr dhe e pyeti:”Bija ime, më trego diçka për botën tjetër!”

Vajza iu përgjigj:”U gjendëm para diçkaje të madhe. Ne dinim por nuk vepronim sipas asaj që dinim. Pasha Zotin, një rekat namaz dhe një tesbih të shënuar në regjistrin e veprave të mia, janë më të dashura sesa e gjithë kjo botë me të mirat e saj.”

Kjo vajzë, ka thënë diçka të madhe në rrëfimin e saj:”Dinim por nuk vepronim sipas asaj që dinim!”

E dinim se të thuash njëqind herë “Subhanallahi ve bihamdihi”, të falen gjynahet edhe sikur të jenë si shkuma e detit, megjithatë, kalonin ditë e net dhe nuk e thoshim.

E dinim se kush agjëron një ditë për hatër të Zotit dhe në mënyrë vullnetare, Zoti e largon nga zjarri shtatë hendekë dhe shtatëdhjetë vite. E megjithatë, as dhe një ditë të vetme në javë nuk agjëronim.

E dinim se kush fal namazin e një xhenazeje dhe kush e shoqëron derisa të varroset, shpërblehet me dy male sevape, njëri mal sa i Uhudit.

E dinim se kush ndërton një xhami për hatër të Zotit, qoftë dhe sa foleja e një harabeli, Zoti do i ndërtojë një shtëpi në xhenet. E megjithatë, nuk kontribuuam për ndërtimin e një xhamie qoftë dhe me pesëdhjetë dollarë.

E dinim se ai që ndihmon një grua të ve dhe fëmijët e saj jetimë, është i barabartë me atë që lufton për hatër të Zotit, si ai që agjëron çdo ditë dhe falet gjithë natën pa vënë gjumë në sy. E megjithatë, nuk kemi bërë asgjë për tu kujdesur për një nënë jetimësh.

E dinim se kush lexon nga Kurani qoftë dhe një shkronjë të vetme, do të shpërblehet me një sevap dhe një sevap është i barasvlershëm me dhjetë syresh. E megjithatë, ne nuk i kushtuam vëmendjen e përditshme Kuranit.

E dinim se haxhi i pranuar ka si shpërblim xhenetin dhe faktin që haxhiu kthehet si dita që e ka lindur nëna për nga gjynahet, e megjithatë, nuk i kushtonim rëndësinë e duhur ritualit të haxhit, edhe pse kushtet ishin të favorshme.

E dinim se krenaria e besimtarit qëndron në namazin e natës që fal dhe se Profeti a.s bashkë me shokët e tij nuk e kishin lënë pas dore këtë ritual gjatë gjithë jetës, pavarësisht angazhimeve të shumta në luftra dhe sigurim të jetesës. E megjithatë, duket qartë që ne e kemi lënë pas dore.

E dinim se kiameti do të vijë pa pikë dyshimi dhe se Zoti do i ringjallë të vdekurit, e megjithatë e neglizhuam këtë fakt.

I varrosnim të vdekurit dhe ua falnim xhenazen, por nuk përpiqeshim të bënim ndonjë punë të mirë për ditën kur të na varrosin neve, sikur kishim marrë një garanci se ne bënim përjashtim nga ky ligj.

Motër dhe vëlla i nderuar!

Dijeni se çdo frymëmarrje dhe frymënxjerrje, na afron më shumë me afatin përfundimtar, vdekjen, ndërkohë që ne jemi të angazhuar me dëfrime dhe qejfe.

Ka ardhur koha që të ndryshojmë stilin e jetës tonë dhe të përgatitemi sa më mirë për ditën e Gjyqit të madh, ditën kur të ikë vëllai nga vëllai, djali nga nëna dhe babai, burri nga e shoqja dhe fëmijët. Atë ditë, secili ka një preokupim me të cilin do të merret.

Hallall i qoftë atij që i lexon këto rreshta dhe punon sipas këshillave që gjenden aty brenda.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here