Keshilla

Lutje për gjumë – Ja si të keni gjumë të qetë

Po ju sjellim lutje për gjumë, thuajse të gjitha që janë gjetur në hadithe të sakta.

Lutje për gjumë
(1) Hazret Hudhejfa Ibni El-Jamani r.a. tregon se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. kur shtrihej për të fjetur, bënte këtë lutje:

O Allah! Me emrin Tënd vdes dhe ringjallem.

Nuk ka strehë dhe nuk ka shpëtim nga Ti përveç Teje

(2) Hazret Bara’ Ibni Azibi tregon se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. i mësoi një njeriu këtë lutje për ta bërë në kohën e gjumit dhe i tha: Nëse vdes gjatë natës kur e ke bërë këtë lutje, do të vdesësh me natyrshmëri të pastër dhe nëse do ta bësh këtë lutje në mëngjes, do të gjesh mirësi e bekime:

O Allah! Ty ta dorëzova veten time. Nga Ti e drejtova fytyrën time. Te Ti e solla çështjen time. Te Ti u mbështeta duke shpresuar e duke u druajtur ndaj Teje. Nuk ka strehë dhe nuk ka shpëtim nga Ti përveç Teje. Besova në librin që ke zbritur dhe në profetin që ke dërguar.

Pastroni shtratin para se të flini
(3) Hazret Ebu Hurejrah r.a. rrëfen se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. tha: Kur të shkoni në shtrat, pastrojeni një herë atë dhe bëni këtë lutje para se të flini:

Me emrin Tënd, o Zoti im, shtrihem dhe po me emrin Tënd do të çohem. Nëse do të ma mbash shpirtin, mëshiroje, e nëse do të ma kthesh, mbroje atë ashtu siç i mbron robërit e Tu të sinqertë.

O Allah! Të kërkoj shëndet
(4) Hazret Abdullah Ibni Omeri r.a. i tha një njeriu të bënte këtë lutje kur të shkonte në shtrat dhe i tregoi se këtë lutje ai e kishte mësuar prej të Dërguarit të Allahut s.a.v.s.:

O Allah! Ti ma krijove shpirtin dhe Ti do të ma marrësh. Për Ty është edhe vdekja e tij, edhe jeta e tij. Nëse do ta ringjallësh, mbroje e nëse do t’i japësh vdekje, fale atë. O Allah! Të kërkoj shëndet.

“Lavdi Zotit!” Një lutje për gjumë
(5) Hazret Abdullah Ibni Omeri r.a. tregon se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. kur shkonte në shtrat, bënte këtë lutje:

Lavdia është e Allahut që më mjaftoi, më strehoi, më ushqeu dhe më dha ujë për të pirë. Lavdia është e Allahut që më dha mirësi, mirësi me bollëk, më fali (gjëra të ndryshme) e më fali pafund. Lavdia është e Allahut në çdo rrethanë. O Allah! O Zoti, Sunduesi dhe i Adhuruari i çdo gjëje! Më mbro nga zjarri!

Faqen e mbështeste në dorën e djathtë
(6) Nëna e besimtarëve, Hazret Hafsa r.a., thotë se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. kur flinte, faqen e mbështeste në dorën e djathtë dhe bënte tri herë këtë lutje:

O Allah! Shpëtomë nga ndëshkimi Yt ditën kur do të ringjallësh robërit e Tu.

O Allah! Vetëm Ti e largon skamjen dhe mëkatin.
(7) Hazret Aliu r.a. tregon se i Dërguari i Allahut s.a.v.s., para se të flinte, bënte këtë lutje:

O Allah! Kërkoj mbrojtjen e fytyrës Sate të nderuar e të fjalëve të Tua të përsosura nga dëmi i çdo krijese, koka e së cilës është në dorën Tënde. O Allah! Vetëm Ti e largon skamjen dhe mëkatin. O Allah! Ushtria Jote nuk mposhtet, premtimi Yt nuk mbetet i papërmbushur. Shenjtëria e askujt nuk bën dobi përballë shenjtërisë Sate. I Shenjtë je Ti me gjithë lavdinë Tënde

O Allah! Më fal mëkatin dhe më mund djallin
(8) Hazret Ebul Ez’her r.a. tregon se i Dërguari i Allahut s.a.v.s., para se të flinte, bënte këtë lutje:

Me emrin e Allahut u shtriva. O Allah! Më fal mëkatin dhe më mund djallin, më mundëso të përmbush detyrën dhe më bëj të jem në parinë e lartë (të engjëjve).

Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WordPress spam blocked by CleanTalk.
To Top
error: Content is protected !!