Nëna dhe babai, të padurueshëm apo çelësi i mëshirës

0
554

A janë me të vërtetë të bezdisshëm dhe të padurueshëm nëna dhe babai?

Tani ju lutem, të mendohemi pak. Edhe ju keni qenë të vegjël, s’keni pasur mundësi të flisni, të hani dhe të shkoni në banjë vetë. E vetmja gjë që mund të bënit ishte të pinit qumështin, të hanit dhe të flinit. Nëna dhe babai na kanë rritur dhe na kanë sjellë këtu ku jemi tani.

Tashmë jeni rritur, edhe ju keni bashkëshorten dhe fëmijët tuaj. A e keni pyetur veten ndonjëherë se si janë, si ndihen nëna dhe babai? A mund të tregoni për ta të njëjtën ndjeshmëri që tregoni për bashkëshorten dhe fëmijët tuaj? A keni një dhomë të ndarë enkas për ta? Apo për ju ata janë të bezdisshëm, të padurueshëm dhe ndërhyrës në çdo punë tuajën?

Përgjigjet që do t’i jepni pyetjeve të mësipërme dhe shumë të tjerave të pashkruara janë paralajmëruese të jetës që do të bëni kur të plakeni…

Avantazhet e familjes së madhe

Jetesa me prindërit me të vërtetë përbën një avantazh të madh për ne. Këto avantazhe janë të shumta për sa i përket thesarit social. Sigurisht kjo analizë bëhet në vija të përgjithshme, mund të ketë edhe përjashtime, por efektet pozitive janë më të shumta.

Jo “i moshuar” por i “pari i familjes”

Pikë së pari prindërve nuk duhet t’u drejtohemi me fjalë si “plak”, “i moshuar”, por të përdorim fjalë më respektuese si “drejtues të familjes”. Kjo do të na ndihmojë të përmirësojmë konceptin negativ rreth tyre. Jetesa me prindërit mundëson një klimë paqeje dhe mëshire në shtëpi. Me qëndrimin, pamjen e tyre të jashtme ata na thonë shumë gjëra.

Këshillat e dhëna gjatë bisedave na flasin për përkohshmërinë e pasurisë së kësaj bote, theksojnë rëndësinë e të qenit një njeri besimtar dhe i mëshirshëm, na kujtojnë vazhdimisht Ahiretin. Ata na mësojnë se nuk ia vlen të rrënosh botën tjetër për hir të gjërave të parëndësishme të kësaj bote.

Vetëm kaq? Për zemrat plot ndjenja ka edhe më shumë, sigurisht!

Ekzistenca e tyre është si një doktor mbrojtës

Prania e prindërve në shtëpi është një faktor shumë i rëndësishëm në ekuilibrimin e marrëdhënieve burrë-grua, në edukimin dhe rritjen e fëmijëve. Prindërit me eksperiencat e tyre të gjera janë si reumatizmat, të cilat e ndjejnë prishjen e kohës më përpara. Ata i nuhasin problemet mes bashkëshortëve dhe marrin masa parandaluese. Nëse ndodh ndonjë problem përpiqen ta sheshojnë dhe të qetësojnë palët, ndonjëherë një fjali e thënë nga ata mund të jetë shpëtimtare e gjendjes kritike mes bashkëshortëve.

Luajnë një rol të rëndësishëm në rritjen dhe edukimin e fëmijëve

Këta besnikë të traditës luajnë një rol të pazëvendësueshëm edhe në rritjen e edukimin e nipave dhe mbesave të tyre. Nëna dhe baballarët të cilët nuk dinë si të përkujdesen për fëmijën e tyre të parë, nuk kanë eksperiencë, në këtë pikë çuditen se si prindërit e tyre kanë rritur aq shumë fëmijë duke përfshirë dhe veten. Nëse logjikojnë dhe e përdorin pak mendjen do ta shfrytëzojnë eksperiencën dhe përkujdesjen e prindërve të tyre. Madje nëse të dy bashkëshortët punojnë, prindërit e tyre janë kujdestarët më perfektë. Ata janë personat më të afërt për fëmijën dhe këtë punë e bëjnë me shumë dëshirë, pa pritur ndonjë shpërblim.

Vetëm kaq? Për ata që mendojnë ka edhe më shumë, sigurisht!

Mundësojnë transmetimin e traditës

Fëmijët e rritur me gjyshërit e tyre sigurisht që janë në kontakt të vazhdueshëm me përfaqësuesit e traditës qindravjeçare. Rregullat e mirësjelljes, të cilat fatkeqësisht nuk i shohim shumë, mësohen më parë në familje.

Krahas kësaj, gjyshërit janë personat e duhur për t’i kuptuar më mirë nipërit e tyre, për t’i mbushur me dashuri e dhembshuri.

Janë të pazëvendësueshëm

Nëse kanë të ardhurat e tyre prindërit bëhen burim të ardhurash për fëmijët e tyre dhe jo barrë e bezdisshme. Ata harxhojnë çdo gjë që kanë për fëmijët, nipat e mbesat e tyre. Gjyshja me eksperiencën e saj gatuan, përgatit ushqime nga më të ndryshmet, ndërsa gjyshi merret me punë të tjera teknike të shtëpisë. Për bashkëshortët e sotëm nuk mund të ketë mundësi më të mirë por…

Vetëm kaq? Për ata që mendojnë ka edhe më shumë, sigurisht!

Mos të harrojmë porosinë hyjnore “Lësho para tyre krahët e përuljes prej mëshire dhe thuaj: Zoti im, mëshiroji ata ashtu siç më kanë rritur kur isha i vogël.” (Isra, 24)

Ky shkrim u përgatit në shenjë sensibilizimi për shumë nëna dhe baballarë të cilët numërojnë ditët e tyre të vetmuar në azile.

Aisa Kokiçi

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here