NJERIU QË I LUTEJ ALLAHUT NË QABE

0
1007

Dr. Muhamed Hasani rrëfen dhe thotë:
Isha duke u futur në brendësi të Bejtul Haramit (Qabesë) dhe ajo që ma tërhoqi vëmendjen ishte një Jemenas, i cili kishte ngritur duart dhe i lutej Allahut. Ai i lutej Allahut me një frikërespekt shumë të madh, me modesti e përulje të vërtetë dhe qante gjatë lutjes së tij.
Shikova nga ai. Më tronditi! Pasha Allahun, zemra vetëm se nuk më doli nga gjoksi! Iu afrova me qetësi, që mos ta pengoja e mos t’ia largoja vëmendjen nga lutjet drejtuar Allahut. I fala dy rekatë namaz, u ula, shikoja nga ai dhe fillova të qaj nga raporti i tij që kishte me Zotin e vet, edhe atë për një kohë të gjatë.
Nuk shkoi pak kohë, erdhi një njeri i pashëm dhe qëndroi në të njëjtin vend ku isha unë. Edhe atij ia tërhoqi vëmendjen ky njeri. Shkoi tek ai dhe i dha selam, mirëpo jemenasi nuk ia ktheu selamin, sepse ishte i zënë me lutjet e tij. Kështu, i pashmi e nxori një shumë të madhe të hollash, ia la në prehrin e tij dhe u largua. Por jemenasi as që e ktheu kokën për t’i parë të hollat mbi prehrin e tij.
Pas një kohe, i uli duart e kokën dhe shikoi të hollat. Filloi të buzëqeshë. Pastaj qau dhe, më në fund, i ngriti duart dhe iu lut Allahut me frikërespekt dhe me përulje.
Pasi përfundoi, shkova tek ai, e përshëndeta dhe ia putha kokën e i thashë:
“Pasha Allahun, kërkoj të më tregosh se ç’është puna me ty?”
“A je ti pronari i të hollave?”, më pyeti duke buzëqeshur.
“Pasha Allahun, më trego”, i thashë.
Më pas, iu zbut zemra dhe më tha:
“O biri im, pasha Allahun, unë erdha në Qabe, pa i ditur askush problemet e mia që ma lodhnin zemrën dhe ma mundonin shpirtin. Pasha Allahun, askujt nuk iu drejtova dhe nga askush ndihmë nuk kërkova, pos nga Allahu i Madhëruar. Iu drejtova dhe i thashë: “O Zoti im, unë jam në Shtëpinë Tënde dhe askënd nga krijesat e Tua nuk e luta për ndihmë. O Zot, mos më braktis!” O biri im, Allahu më dha më shumë se sa kërkova, edhe atë trefish.”
Të dashurit e mi, kush i mbështetet Allahut, atij i mjafton Ai, kush kapet për fenë e Tij, ai shpëton dhe kush ia lë çështjet Atij, Ai e udhëzon.
O Zot, mundësona të mbështetemi te Ti dhe të drejtohemi vetëm te Ti, ashtu siç do dhe dëshiron vetëm Ti!
Hoxhë Irfan Jahiu

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here