E Bukura” e natyrës dhe ndikimi i saj në shpirtin e njeriut sipas artit islam

0
1040

Estetika është disiplinë e cila, në përgjithësi, përkufizohet si shkenca e së bukurës, apo si terësi e teorive filozofike dhe psikologjike të ndërlidhura ngushtë me historinë e artit, sociologjisë, antropologjisë. Është një fushë shkencore që ndërlidhet me “krijimin” e veprës artistike e cila përbën një hapësirë të qenies, me natyrën në kontekstin e veprës artistike e cila lidhet me shijen dhe me temat anësore të ndërlidhura me to.

Në artet islame kur flitet për të bukurën, nuk nënkuptohet një bukuri e estetikës perëndimore objektiviste ose subjektiviste, por “e bukura absolute” dhe imanenca e kësaj bukurie në gjithësi të dukshme. E bukura buron nga Zoti dhe çdo gjë e cila është e bukur nuk është gjë tjetër veq se manifestim i cilësive të tij. Në Kur’an për të bukurën përdoret fjala “Ihsan”. Pejgamberi a.s. kur i definon nivelet e besimit “Ihsanin” e rendit në shkallën më të lartë si “të adhuruarit e Zotit sikurse ta shohësh”, pra e bukura është ajo e cila vendos lidhje ontologjike dhe estetike me Zotin. Gjithashtu edhe në krijimin e njeriut Allahu xh.sh. përdorë fjalën Ihsan: “E kemi krijuar njeriun në formën e përsosur” (fi ahseni tekvim). Njeriu është i krijuar në formën më të bukur dhe njëherit është vepër arti e Zotit në tokë. Për këtë aryse njeriu dhe natyra, ose njeriu dhe e bukura janë nga i njëjti burim kështu që gjejnë prehje në njëri tjetrin.

Për artistin musliman p.sh. trëndafili nuk është i bukur vetvetiu e as është përjetimi i vetës tonë në të (einfuhlung). Bukuria e trëndafilit përbën manifestimin (texhel-li) e cilësisë hyjnore të bukurisë (xhemal), kurse e shëmtuara mbetet jashtë kësaj teorie sepse, pasi që e bukura është absolute atëherë e shëmtuara relative nuk ekziston fare. Sipas besimit islam natyra nuk është gjë tjetër përveçse manifestim i bukurisë së Zotit, dhe këtë ide e mbështesin në thënien e Zotit: ”Isha thesar i fshehur dhe desha të njihem, krijova botën që të njihem”, pra “thesari i fshehtë” është shfaqur në pasqyrën e hiçit dhe ka pasqyruar shumësinë e emrave dhe kështu është krijuar bota. Zoti posedon shumësi emrash dhe reflektimi i tyre në hapësirë formon të bukurën në natyrë. Shumësia e llojeve të bukurisë së natyrës është rruga më e shkurtër për të arritur në qenien e kulluar, Zotin transcendent. Ibn Arabiu në lidhje me thënien pejgamberike “Zoti është i bukur dhe e do të bukurën” thotë se bukura është themel dhe shkak i të gjitha dashurive.

Në këtë relacion Pejgamberi a.s. numëron pesë gjera të cilat e qetësojnë shpirtin e njeriut: Shikimi në Qabe, shikimi në Kur’an, shikimi në fytyrën e prindërve, shikimi në fytyrën e dijetarëve, dhe shikimi i natyrës. Pra numëron edhe natyrën si elemten i cili ndikon positivisht në qetësimin e shpirtit të njeriut. . Kështu që artisti musliman duke shikuar bukurinë e natyrës është dehur nga prezenca e sublimes brenda saj dhe kjo e ka bërë atë të vetëdijshëm ontologjikisht dhe moralisht. Për këtë arsye shpesh herë artistët nuk e vendosin firmën në punën e tyre dhe as nuk ia destinojnë vetës punën por qenies absolute Zotit. Ata thonë se arti është vazhdimsi e krijimit të Zotit vetëm se duke përdorur mekanizmin njeri. Arti i bukur i natyrës njeriun e bën të ndërgjegjshëm në çdo hapësirë.

Prezanca e qenies në çdo hap të jetës e cila përmes artit, bëhet prezentë është një rrugë e përmirësimit të jetës dhe një shpresë për një botë më të mirë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here